BE-ja NJË MIK I VËRTETË I MALIT TË ZI DHE BALLKANIT PERËNDIMOR

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq priti në një vizitë lamtumirëse Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Podgoricë, Aivo Orav dhe e falënderoi për mbështetjen për zhvillimin dhe reformat e përgjithshme që duhet të çojnë në përparim më të shpejtë në rrugën për në BE, por edhe një jetë më të mirë për qytetarët tanë.

“Duke hapur kapitullin e fundit të bisedimeve, dhe duke pranuar metodologjinë e re të bisedimeve, ne po hyjmë në një fazë të re të këtij procesi. Mali i Zi do të bëjë gjithçka për të siguruar një dinamizëm dhe angazhim më të madh në procesin e mëtutjeshëm duke forcuar institucionet dhe duke i bërë ato të qëndrueshme,” tha Kryeministri Markoviq.

Markoviq theksoi ndihmën e shpejtë dhe bujare të BE-së në dhënien e përgjigjeve për sfidat me koronavirusin, përmes dhurimit të pajisjeve mbrojtëse dhe të tjera shëndetësore, fondeve të pakthyeshme dhe të kreditit.

“Kjo është dëshmi e angazhimit strategjik të Bashkimit Evropian. Në këtë krizë gjithashtu është konfirmuar se BE është një mik i vërtetë i Malit të Zi dhe Ballkanit Perëndimor,” theksoi Markoviq.

Ambasadori Orav vlerësoi se gjatë mandatit të tij, bashkëpunimi ishte i mirë, dhe se është koha që negociatat të intensifikohen, domethënë që kapitujt e negociatave të mbyllen me efikasitet.

“Unë jam i kënaqur të them që BE po jep premtimet e saj. Shpresoj se kemi hedhur një themel të mirë për përparim të shpejtë në periudhën në vazhdim. Shumë është bërë në Mal të Zi, por mbetet shumë punë për të bërë, gjë që kërkon përpjekjet e përbashkëta të të gjitha akterëve të partive politike në Mal të Zi,” tha Ambasadori Orav.

SHARE