Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij sot në Bratisllavë të Sllovakisë.
Takimi ka ndodhur para pjesëmarrjes së Kurtit në një diskutim për të ardhmen e Kosovës në kuadër të Konferencës për Siguri Globale në Bratisllavë.
Pas këtij takimi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, kryeministri tha se për të ishte me rëndësi t’i takonte diplomatët e lartë sepse ,sipas tij “duhet të ketë qartësi lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë të shkaktuara nga Serbia”.
“Takimi ishte i rëndësishëm. Ne duhet ta kemi zbatimin (e marrëveshjes Kosovë- Serbi), në rrugë të drejtë dhe mendoj se kemi pasur nganjëherë stagnim dhe nganjëherë largim nga rruga”, tha Kurti duke shtuar se “nuk kemi zgjidhje jo sepse nuk kemi marrëveshje, por sepse nuk kemi zbatim të marrëveshjes”.
Burime të Bashkimit Evropian e përmendën të martën Bratisllavën si vendtakim të mundshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe thanë se janë duke punuar në këtë drejtim.
Të dy liderët ishin të ftuar në Forumin e Sigurisë që po mbahet në Bratisllavë.
Nga Qeveria e Kurtit thanë fillimisht se kryeministri e ka shtyrë pjesëmarrjen, për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës. Vuçiq, megjithatë, tha se nuk do të shkojë në Bratisllavë, sepse, siç u shpreh, “është më e rëndësishme të jem me popullin tim”.