ART CLUB: PROMOVIMI I FILMIT DOKUMENTAR “NË TEH TË ERËS” KUSHTUAR BASRI ÇAPRIQIT NË ULQIN DHE TUZ

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” do të organizojë promovimin e filmit dokumentar “Në teh të erës” kushtuar poetit e studiuesit Basri Çapriqi në Ulqin (Hoteli “Mediteran”, e shtunë, më 3 qershor 2023, ora 20:00) dhe në bashkëpunim me Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz (QKI “Malësia”, e hënë, më 5 qershor 2023, ora 20:00).

Filmi është realizuar sipas skenarit dhe me regji të gazetarit Haxhi Shabani, i cili është autor edhe i disa dokumentarëve të tjerë. Përmes rrëfimeve dhe bisedave me bashkëpunëtorët e miqtë e tij më të ngushtë, shkrimtarë, studiues të letërsisë, pedagogë të Universitetit të Prishtinës, botues etj. trajtohet kontributi i Basri Çapriqit në shumë fusha të dijes. Dokumentari pasqyron figurën e plotë të Çapriqit si poet, studiues i letërsisë, profesor universitar, publicist, themelues dhe drejtues i shoqatave letrare, por edhe aspektin e tij njerëzor. Ky film vjen në 5-vjetorin e vdekjes së tij dhe është një homazh për jetën dhe veprën e Çapriqit.

Filmi është prodhim i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”. Vargje nga krijimtaria e Basri Çapriqit reciton aktori Simon Shkreli. Ekipi realizues i dokumentarit përbëhet nga kameramanët Allmedin dhe Amir Suka, të cilët e kanë bërë edhe montazhin. Filmi dokumentar është realizuar me mbështetjen e Fondit Humanitar “Trojet tona”, të afërmve dhe miqve të Çapriqit në diasporën tonë në SHBA.

Prof. dr. Basri Çapriqi u lind më 15 janar 1960 në Krythë të Anës së Malit. Ka nisur të punojë si gazetar në Radiotelevizionin e Titogradit në vitin 1985, kurse që nga viti 1986 ishte ligjërues në Degën e Letërsisë Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Është autor i disa vëllimeve me poezi dhe librave studimorë e monografikë. Është përfshirë në dhjetëra antologji të poezisë në gjuhë të huaja. Për krijimtarinë e tij poetike është shpërblyer me shumë çmime. Ai ishte aktiv edhe në jetën shoqërore, arsimore e kulturore. Vdiq në Prishtinë, më 14 janar 2018, në moshën 58-vjeçare. Që nga viti 2018, manifestimi letrar “Kalimera Poetike” që e organizon SHAI “Art Club” mban emrin e Basri Çapriqit.

SHARE