BE ARRIN MARRËVESHJE KOMPROMISI PËR NDALESË NË NAFTËN RUSE

Pas diskutimesh të gjata, liderët e Bashkimit Europian u pajtuan me planin që parashikon bllokimin e më shumë se dy të tretave të importeve të naftës ruse Por pas kundërshtisë së ashpër të Hungarisë, u vendos që tani për tani, embargoja të prekë vetëm dërgesat nga deti e jo naftën në tubacione. E mjaftueshme kjo, sipas shefit të Këshillit Europian, Charles Michel, për t`i ndërprerë një burim shumë të madh financimi makinerisë ruse të luftës. “Mendoj se është një sinjal i fuqishëm ky që ne po dërgojmë, sepse këto ditët e fundit ka pasur spekullime mbi rrezikun e një mungese të unitetit në Bashkimin Europian. Them se tani, më shumë se kurrë është e rëndësishme të tregojmë se mund të jemi të fuqishëm, mund të jemi të vendosur, mund të jemi të rreptë në mbrojtjen e vlerave dhe interesave tona.”- tha Charles Michel Kjo masë është pjesë e paketës prej 6 sanksionesh, e cila u miratua në samitin e mbajtur në Bruksel. Michel shtoi gjithashtu dhe masa që shënjestrojnë bankën më të madhe ruse, Sberbank, si dhe tre transmetues shtetërorë. Krerët e 27 vendeve anëtare kaluan disa orë duke tentuar të zvogëlonin dallimet në qëndrime për ndalesën në importet ruse të naftës. Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se shkalla e ndalesës do të mund të jetë edhe më e madhe, pasi Gjermania dhe Polonia kanë shprehur gatishmëri për të ndalur importet e tyre përmes tubacioneve deri në fund të vitit. “Ajo çfarë mbetet është rreth 10-11 për qind, që mbulohet nga tubacioni Druzhba në jug. Këshilli Europian do të diskutojë edhe këtë përjashtim sa më shpejt që është e mundur.”- tha Von der Leyen. Ndalesa në importet e naftës ruse u propozua nga Komisioni Europian një muaj më parë. Por rezistenca kryesisht e Hungarisë që importon 65 për qind të naftës së saj nga Rusia përmes tubacioneve, e kishte mbajtur peng rundin e ri të sanksioneve. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, iu drejtua liderëve të BE-së përmes një lidhjeje me video, e bëri thirrje të shmangin zënkar mes tyre, sepse kështu tha ai, inkurajoni Rusinë që të ushtrojë edhe më shumë presion mbi ju. “Nuk është koha të jeni të ndarë, por të bashkuar”, kishte apeli i Zelenskyt, që u pasua dhe nga thirrjet e kryeministrit letonez Krisjanis Karins, i cili theksoi se vendet anëtare nuk duhet të pengohen nga interesat personale. Mos harroni, ne po paguajmë para, u shpreh ai, ndërsa ukrainasit po paguajnë me jetën e tyre.

SHARE