GJELOSHAJ: NË MËNYRË TË CIVILIZUAR TREGUAM SE SI T’I REZISTOHET FASHIZMIT

Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, përgëzoi KF Deçiq për një sezon të shkëlqyeshëm dhe iu referua ngjarjeve të mbrëmshme gjatë finales së Kupës së Malit të Zi, në të cilën skuadra Deçiq në krye me trajnerin Edis Mullalliq humbi ndaj Buduqnost me rezultat 3:1. Gjeloshaj thekson se KF Deçiq nuk fitoi Kupën e Malit të Zi, por arritja deri në finale, e në finale luajnë më të mirët, kualifikimet Evropiane, si dhe arritjet individuale të Kristijan Vulajt dhe Adrian Rudoviqit, që janë tashmë pjesë e përfaqësueses së Malit të Zi, bashkë me Xhonatan Dreshajn dhe Danillo Peshukiqin në reprezentacionin U-21, na bëjnë patjetër të gjithëve krenarë me lojën fantastike te klubit tonë. Ai shton se para futbollistëve të KF Deçiq është një rrugë e gjatë, dhe kanë akoma edhe shumë punë për të bërë, e shumë fitore për të korrur. “Faleminderit tifozëve të KF Deçiq që treguan se si në mënyrë te civilizuar, dinjitoze dhe të kulturuar përkrahet klubi i vet! Posaçërisht faleminderit që nuk reaguat në provokimet fashiste dhe fyese ndaj shqiptarëve në finale!,” tha Gjeloshaj. Kryetari Gjeloshaj ndër të tjera tha: “Respektoj kërkim faljet nga kryebashkiaku i Podgoricës, z. Vukoviq, dhe kapiteni i FK Buduqnost, z. Grbiq.  Na vjen keq qe kryetari i KF Buduqnost, z. Mijaç, nuk reagoi, e as që kërkoi falje për këtë, edhe nëse kjo ndeshje e mban epitetin e “ndeshjes më të bukur të sezonit”.  As KF Buduqnost zyrtarisht, si nikoqir, nuk shprehi keqardhje për thirrjet fashiste nga tifozët zyrtarë të vetë.” Gjeloshaj u uroi fitoren dhe dopietën lojtarëve të KF Buduqnost, kapitenit Grbiq, bashëkqytetarit të Komunës së Tuzit e lojtarit të FK Buduqnost, Bogdan Miliq. “Në klubin tonë luajnë shqiptarë, malazezë, boshnjakë, serbë… dhe ne jemi krenarë për të gjithë lojtarët si dhe stafin teknik. Ne nuk bëjmë dallime, promovojmë sportin e posaçërisht mesazhin e UEFA-s kundër racizmit dhe ofendimeve nacionale. Vulaj, Dreshaj, Pepiq, Mullalliq, Markoviq, Peshukiq, Rudoviq, Nikolliq, Zhelkoviq… ju jeni krenaria e klubit tonë, emrat tuaj u shënuan me shkronja të arta në komunën tonë!,” shkruan Gjeloshaj. “Dhe në fund, nuk fituam finalen ne futboll, por nga stadiumi dola krenar, ballëlartë, me krejt stafin, miqtë e klubit e tifozët tonë që ndaj gjithë kësaj shprehje fashizmi treguan civilizim. Zemrën e kam sa Deçiqi!,” thotë Gjeloshaj.  “Fituam në arenën ku Malësia e njerëzimi kanë fituar gjithmonë, në ndershmërisë, dinjitetit dhe civilizimit. Referi e delegati nuk e ndërprenë lojën për asnjë moment gjatë kanonadës së fyerjeve shoviniste në bazë nacionale, e pra kishte elemente për ndërprerjen e lojës. Sa për rikujtim, ne gjysmëfinale me KF Iskra, delegati, me urdhër te komisarit Miqunoviq, e ndërpreu lojën për 10 minuta, për shkak se ne tribuna kishim 4 persona më shumë se ç’ishte e lejuar. Kjo tregon mjaft. Për koment shtesë nuk ka nevojë! Referi Shqepanoviq eshte temë në vete dhe borxhliu ynë i vjetër. Por, kush qeshet i fundit, qeshet më së ëmbli!,” shprehet Gjeloshaj. Në fund, kryetari i komunës së Tuzit, i përgëzoi djemtë e klubit Deçiq dhe i falenderoi ata për emocionet e bukura që dhuruan gjatë gjithë ndeshjeve të këtij sezoni.

SHARE