GJEKA: VENDOSJE E BASHKËPUNIMIT MË TË NGUSHTË NË FUSHËN E INTEGRIMEVE EVROPIANE

Gjatë qëndrimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka, në margjinat e Konferencës Rajonale për sfidat me të cilat përballen gratë dhe vajzat në rajon në rrugën drejt BE-së, u takua me ministren për Punë dhe Politikë Sociale, Jovanka Trençeska, me të cilën bisedoi për sfidat e përbashkëta të dy vendeve, me theks në vendosjen e bashkëpunimit më të ngushtë në fushën e integrimeve evropiane.

Të dy departamentet kanë shumë fusha të përbashkëta në kompetencat e tyre, thanë bashkëpunëtorët, ndaj pritet që në periudhën e ardhshme të përcaktojnë modele më konkrete të bashkëpunimit të përbashkët.

Ministri Gjeka ka biseduar me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe kryetaren e Komisionit për Marrëdhënie ndërmjet Komuniteteve, Arbana Pashola, me të cilët ka diskutuar për rëndësinë e ruajtjes dhe përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si dhe zgjerimin e kontakteve dypalëshe, rajonale dhe shumëpalëshe.

Ministri Gjeka foli edhe për situatën në Mal të Zi në kuadër të të drejtave të njeriut, marrëdhëniet mes vendeve të rajonit, si dhe zgjedhjet presidenciale aktuale.

SHARE