ZV/KRYEMINISTRI BISLIMI: NGA 1 SHKURTI HYNË NË FUQI RREGULLORJA E BQK-së, POR PA NDËSHKIME NË FILLIM

Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se euroja ka qenë dhe do të jetë valuta e vetme zyrtare në Kosovë.

Në një konferencë për media bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, zv/kryeministri Bislimi tha se Qeveria e Kosovës është e vendosur që zbatimi i ligjshmërisë në secilën pjesë të territorit të Kosovës të jetë pa kushte dhe pa kompromis.

Një ditë para se të hyjë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila parasheh që nga 1 shkurti të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë të bëhen vetëm me valutën euro, Bislimi tha se “asnjë qytetar nuk ka arsye t’i frikësohet zbatimit të rregullores së re të BQK-së”.

Zbatimi i rregullores së re të BQK-së, e cila përjashton përdorimin e dinarit serb, valutë e cila ende përdoret nga serbët në komunat veriore, sipas Bislimit, nuk do të fillojë nga 1 shkurti menjëherë me masa ndëshkuese, por do të ketë investime në informim për qytetarët serbë.

“Mekanizmat e qeverisë që kanë për obligim zbatimin në praktikë të kësaj rregulloreje, do të fokusohen në plotësi që në këtë fazë tranzitore të investojnë më shumë në informim dhe edukim të qytetarëve dhe bizneseve dhe jo në masa ndëshkuese nga dita e nesërme”, theksoi Bislimi.

Bislimi shtoi se qeveria ka kërkuar nga menaxhmenti i BQK-së që të vendosë linjë komunikimi me Bankën e Serbisë për të gjetur “mekanizëm për transfer transparent të mjeteve” për serbët e Kosovës që paguhen nga Serbia.

Zv/kryeministri kosovar tha se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është kujdesur që Agjencioni për Regjistrimin e Bizneseve të fillojë operimin edhe në katër komunat veriore të Kosovës në mënyrë që biznet të mund të regjistrohen dhe fiskalizohen.

Ministri Murati, nga ana tjetër, tha se janë rreth 40 mijë llogari bankare në dispozicion të serbëve që mund të pranojnë pagesa edhe në transfere ndërkombëtare. Ai shtoi se do të ketë fushatë që bizneset të fiskalizohen.

“Jemi të përkushtuar që të ofrojmë edhe masa mbështetëse edhe për të gjitha bizneset e tjera”, tha Murati.

Shtetet e Quintit (SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia) kanë kërkuar nga Kosova që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të rregullores së BQK-së që parasheh ndalimin e përdorimit të dinarit si valutë e vlefshme në treg, vendim i cili është paraparë të hyjë në fuqi nga 1 shkurti 2024.

Përgjatë janarit të këtij viti, BQK-ja bëri publike rregulloren e re e cila parasheh që nga 1 shkurti 2024 të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë të bëhen vetëm me valutën euro.

Në veriun e banuar me shumicë serbe të Kosovës ende përdoret dinari për tregti. Po ashtu me dinar nëpërmjet bankave, serbët paguhen për pensione, ndihma sociale dhe shtesa për fëmijë.

SHARE