STOLTENBERG: MBËSHTETJA PËR UKRAINËN, MISIONI MË I RËNDËSISHËM I NATO-s

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se detyra e parë e Suedisë si anëtare e NATO-s do të jetë të ndihmojë në parandalimin e fitores së presidentit rus, Vladimir Putin, në luftën në Ukrainë.

“Misioni më i rëndësishëm i NATO-s në vazhdim është të mbështesë Ukrainën. Pres që Suedia të vazhdojë t’i japë ndihmë ushtarake dhe ekonomike Ukrainës si anëtarë i ri i NATO-s. Jam plotësisht i bindur se Suedia do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe si një anëtare e aleancës”, tha Stoltenberg në një intervistë me transmetuesin suedez ‘Ekot’ në Washington.

Stoltenberg tha se pret që Suedia të anëtarësohet në NATO shumë shpejt, respektivisht brenda pak javës. Ai theksoi se ka marrë garanci nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, se Hungaria do të votojë në favor menjëherë pasi parlamenti hungarez të mblidhet në fund të muajit shkurt.

Shefi i NATO-s tha se periudha e aplikimit të Suedisë për anëtarësim në NATO ka qenë historikisht e shkurtër, por ka zgjatur më shumë sesa shpresonte vendi.

Gjatë vizitës së tij në Washington, Stoltenberg është takuar me udhëheqësit e Kongresit për t’i bindur ata që të vazhdojnë të ndihmojnë Ukrainën ushtarakisht dhe ekonomikisht.

Paketa e mbështetjes që presidenti amerikan, Joe Biden, ka paraqitur deri më tani është pritur me rezistencë të fortë nga republikanët të cilët në vend të kësaj duan të shohin më shumë fonde për të forcuar kufijtë e SHBA-së.

“Unë supozoj se Kongresi do të pajtohet dhe se SHBA-ja do të marrë një vendim për mbështetjen e shtuar dhe të vazhdueshme, është në interesin e tyre. Bota do të bëhet më e rrezikshme nëse presidenti Putin fiton”, tha ai.

Në tetor, Stoltenberg do të përfundojë rolin e tij udhëheqës në NATO, duke ia dorëzuar detyrën dikujt tjetër. Ai tha se anëtarësimi i Suedisë në NATO është “pjesa e fundit që mungon”, përpara përfundimit të postit të tij.

SHARE