MILLATOVIQ, ORGANIZOI SOT PRITJE PËR PËRFAQËSUESIT E BIZNESEVE

Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq priti përfaqësuesit e Këshillit të Investitorëve të Huaj.

Me atë rast, Këshilli i prezantoi Presidentit të Shtetit Strategjinë e Këshillit (2024-2026) në Mal të Zi, e cila përcakton një rol më aktiv të këtij Këshilli në përmirësimin e mjedisit të biznesit në vend. Strategjia u zhvillua në bashkëpunim me Boston Consulting Group (BCG), një nga tre kompanitë më të mëdha të konsulencës strategjike në botë.

“Presidenti përshëndeti angazhimin e Këshillit të Investitorëve të Huaj për të kontribuar në krijimin e një mjedisi më të mirë investues dhe biznesi përmes propozimeve konkrete për pushtetin ekzekutiv. Ai përkujtoi se në periudhën e kaluar parakushtet për këtë ishin krijuar në planin e brendshëm përmes formimit të Qeverisë, zgjedhjes së guvernatorit të BQM me mbështetje të gjerë në Kuvend dhe emërimeve kyçe në gjyqësor”, njoftoi kabineti i Millatoviqit.

Ai shtoi se, si edhe më parë, roli i Presidentit do të jetë korrigjues në praktikën e miratimit të zgjidhjeve ligjore ad hoc që mund të dëmtojnë funksionalitetin e tregut të lirë ose të ndikojnë në krijimin e pasigurisë juridike.

Ai vlerësoi se vendimi i Kuvendit për të mos miratuar një nga ligjet e kthyera dëshmoi pjekuri politike dhe tregoi se agjenda evropiane është në fokus të këtij institucioni.

Në fund, presidenti tha se asnjëherë nuk kemi pasur mbështetje më të madhe nga vendet e BE-së që Mali i Zi të bëhet anëtari i ardhshëm, prandaj pret që Qeveria të vazhdojë me zbatimin e politikave reformuese në mënyrë që të krijojë një mjedis biznesi më të parashikueshëm dhe tërheqës.

SHARE