Foto: Shutterstock
Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, uroi të gjithë qytetarët me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke u dëshiruar shëndet, paqe, dashuri dhe begati në familjet e tyre.
Në mesazhin e tij, Gjelaj theksoi rëndësinë e solidaritetit, mirëkuptimit dhe harmonisë ndërmjet njerëzve, pavarësisht dallimeve:
“Kjo festë le të na kujtojë rëndësinë e solidaritetit ndaj njëri-tjetrit, mirëkuptimit dhe harmonisë ndërmjet njerëzve, pavarësisht dallimeve. Le të mbizotërojë gjithmonë respekti, dashuria dhe bashkëjetesa në komunën tonë.”
Kryetari Gjelaj uroi që kjo festë të sjellë një frymë të re paqeje dhe bashkëpunimi në komunitet, duke përçuar mesazhin e unitetit dhe respektit të ndërsjellë.
Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, i ka dërguar urimet e tij kryetarit të Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat Fejziq, dhe besimtarëve që festojnë Kurban Bajramin.
“Me shumë kënaqësi ju dërgoj urimet më të sinqerta me rastin e festës së Kurban Bajramit. Simbolika e këtyre festave na kujton vlerat më të larta. Për më tepër, kremtimi i një jete të drejtë dhe përkushtimit ndaj së mirës së përbashkët merr një kuptim të veçantë për secilin prej nesh, si individë dhe si shoqëri. Jam i sigurt se, i udhëhequr nga fryma e respektit të ndërsjellë, bashkësisë dhe dialogut, do të vazhdojmë të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe më të begatë,” thuhet në urimin e zëvendëskryeministrit Gjeloshaj.
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka uruar reisit të Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat Fejziq dhe të gjithë besimtarëve të fesë islame për Festën e Kurban Bajramit:
“Me rastin e Kurban Bajramit, ju përcjell urimet e mia më të sinqerta, me dëshirën që këto ditë festive t’i kaloni në paqe, shëndet dhe lumturi familjare. Vlerat që përcjell kjo festë e madh le të na motivojnë të ndërtojmë një shoqëri të bazuar në respekt, mirëkuptim dhe solidaritet të ndërsjellë.”
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, i ka uruar Kurban Bajramin reisit të Bashkësisë Islame, Rifat Fejziq, si dhe gjithë besimtarëve myslimanë në Mal të Zi.
„ Me rastin e Kurban Bajramit, ju uroj nga zemra shëndet, harmoni dhe mirëqenie në familjet tuaja. Kjo festë e madhe e besimit dhe sakrificës na kujton vlerat më të larta të humanizmit, solidaritetit dhe dashurisë ndaj të afërmit. Shpresoj që këto ditë të jenë të mbushura me paqe, afërsi dhe mirëkuptim reciprok. Le të jetë Bajrami një mundësi për të forcuar lidhjet familjare dhe shoqërore, duke na kujtuar se së bashku jemi më të fortë. Gëzuar Kurban Bajramin!“ thuhet në urimin e ministrit Dukaj.
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi uron besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit, duke u dëshiruar ditë të mbushura me begati, paqe dhe harmoni familjare.
„Kjo festë simbolizon bamirësinë dhe sakrificën, prandaj uroj që të jemi gjithnjë më të gatshëm për të ndihmuar të tjerët. Shqiptarët, pavarësisht përkatësive fetare dhe krahinore, ruajnë unitetin dhe identitetin e tyre përmes respektit dhe bashkëpunimit në festa të tilla,“ thuhet në urimin e KKSH-së.