RAPORTI I KE-së KONSTATON PËRPARIM TË MALIT TË ZI NË KAPITUJT KRYESORË

Angazhimi politik i autoriteteve malazeze ndaj qëllimit strategjik të integrimit evropian është prioriteti më i rëndësishëm për vendin dhe qëndrimi i vendosur në orientimin strategjik të BE-së mbetet vendimtar për përparimin në periudhën e ardhshme, sipas Raportit të Komisionit Evropian (KE) për përparimin e Malit të Zi.

Në dokumentin, në të cilin ka pasur qasje Radio Televizioni i Malit të Zi, theksohet se që nga formimi i saj në tetor të vitit të kaluar, Qeveria ka funksionuar në një mjedis politik përgjithësisht stabil, me më pak polarizim në krahasim me vitet e kaluara.

Megjithatë, siç u tha në raport, vendi dhe institucionet e tij janë të brishtë dhe të cenueshëm ndaj krizës politike dhe bllokimeve të mundshme institucionale.

Gjithashtu theksohet se Parlamenti ka punuar rregullisht, kryesisht me konsensus për çështjet kyçe që kanë të bëjnë me BE-në.

Në dokument thuhet se Mali i Zi mbetet mesatarisht i gatshëm për zbatimin e çështjeve ligjore të BE-së dhe standardeve evropiane në këtë fushë dhe se në përgjithësi ka arritur progres të mirë.

Në dokument shtohet, se përparim i mirë është arritur në drejtim të reformës në drejtësi, luftës kundër korrupsionit, lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, së bashku me reformat thelbësore të kuadrit legjislativ dhe strategjik.

Në pjesën që lidhet me funksionimin e gjyqësorit, thuhet se sistemi gjyqësor malazez është mesatarisht i përgatitur dhe ka bërë përparim të mirë në reformat kyçe në drejtësi dhe rekomandimet e vitit të kaluar.

Në vitin e ardhshëm, Mali i Zi duhet të rrisë veçanërisht efikasitetin e ndjekjes penale/dënimit në rastet e rënda dhe rastet e krimit të organizuar, veçanërisht në rastet e pastrimit të parave.

Komisioni pret gjithashtu që vendi të trajtojë gjyqet e gjata dhe vonesat e shpeshta në rastet e krimit të organizuar.

SHARE