Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka pritur drejtësi nga Dhomat e Specializuara në Hagë, duke kritikuar mungesën e transparencës dhe mënyrën e trajtimit të çështjes së luftës së UÇK-së.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se në këtë periudhë Kosova nuk duhet të përballet me destabilitet të mëtejshëm institucional, duke theksuar nevojën për takime dhe bashkëpunim politik.
Ai tha gjithashtu se Qeveria do të shqyrtojë brenda javës nismën e PDK-së për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, pasi të marrë opinionet juridike nga institucionet përkatëse.
Duke folur për Specialen, Kurti përmendi siç i quajti ai “tri defekte kapitale”: mënyrën e qasjes ndaj UÇK-së, mungesën e transparencës dhe faktin që, sipas tij, gjykata nuk ka trajtuar raste të krimeve ndaj shqiptarëve në mënyrë të mjaftueshme.
Ai përmendi rastin e masakrës në Dubravë, për të cilën tha se prej vitit 2023 nuk është marrë përgjigje nga Dhomat e Specializuara. Kurti ngriti gjithashtu shqetësime për vëllimin e madh të aktgjykimit dhe tha se dyshon nëse ekipet e mbrojtjes kanë pasur mundësi ta shqyrtojnë tërësisht atë.
Në fund, ai bëri thirrje për unitet institucional dhe shoqëror në Kosovë, por edhe për bashkëpunim me Shqipërinë në mbrojtjen e luftës së UÇK-së, duke theksuar se aktgjykimi përmend, sipas tij, edhe dy komuna në Shqipëri.







