DELEGACIONI I KE-së: ZGJEDHJET LOKALE U ZHVILLUAN NË MËNYRË TË RREGULLT, I NEVOJSHËM NDRYSHIMI I LIGJIT

Zgjedhjet lokale në Podgoricë dhe Kotorr u zhvilluan në mënyrë të rregullt, por një ndryshim në legjislacionin zgjedhor është i nevojshëm, sipas anëtarëve të delegacionit të Kongresit të Këshillit të Evropës që vëzhguan zgjedhjet.

Ata dje kanë vizituar 55 vendvotime të zgjedhura në mënyrë të rastësishme ku, siç kanë thënë, kanë konstatuar parregullsi të vogla procedurale.

“Delegacioni konstatoi mangësi dhe zbrazëtira të shumta në kornizën ekzistuese legjislative. Si, për shembull, mos verifikimi përfundimtar, pra kontrolli i vendimeve të komisioneve komunale, që duhet të bëhet nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Kjo është diçka që mund të ndryshohet. Gjithashtu, kompetencat e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit duket se nuk janë në përputhje me seriozitetin dhe peshën e shkeljeve të mundshme të ligjit dhe sanksionet nuk janë mjaftueshëm parandaluese. U bëjmë thirrje autoriteteve që sa më shpejt të miratojnë një kornizë gjithëpërfshirëse legjislative”, thanë përfaqësuesit e delegacionit në konferencën për shtyp.

SHARE