ODA E MJEKËVE: VAKSINIMI I DETYRUESHËM I FËMIJËVE BAZOHET NË SHKENCË DHE MBRON SHËNDETIN PUBLIK

Foto: Ilustrim

Oda e Mjekëve e Malit të Zi vlerësoi se vaksinimi i detyrueshëm i fëmijëve mbështetet në prova shkencore, parime etike dhe nevojën për mbrojtjen e shëndetit publik, duke reaguar ndaj debatit të fundit për imunizimin në vend.

Komisioni për Çështje Etike dhe Deontologji theksoi se vaksinat janë një nga ndërhyrjet më të sigurta dhe më të suksesshme në historinë e mjekësisë, duke shpëtuar miliona jetë dhe duke parandaluar përhapjen e sëmundjeve ngjitëse.

Sipas tyre, e drejta individuale duhet të balancohet me përgjegjësinë për të mos rrezikuar shëndetin e të tjerëve, veçanërisht të personave që nuk mund të vaksinohen për arsye mjekësore.

Në deklaratë rikujtohet edhe vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili konfirmon se vaksinimi i detyrueshëm mund të jetë i ligjshëm dhe i nevojshëm për mbrojtjen e shëndetit publik.

Oda e Mjekëve paralajmëroi se promovimi publik i pretendimeve të pabazuara kundër vaksinimit nga ana e mjekëve cenon etikën profesionale, dëmton besimin e qytetarëve në sistemin shëndetësor dhe mund të rrezikojë shëndetin publik.

Për këtë arsye, u bë thirrje që mjekët në komunikimin publik dhe në punën me pacientët të mbështeten gjithmonë në mjekësinë e bazuar në prova shkencore dhe standardet ndërkombëtare profesionale.

SHARE