SERBIA SHPALL MARRËVESHJEN TREVJEÇARE TË GAZIT ME RUSINË / REAGON PRISHTINA- BE FLE GJUMË

Presidenti serb Aleksander Vuçiq njoftoi një marrëveshje trevjeçare për gazin me Rusinë në një intervistë me kanalin televiziv serb “Pink” ditën e djeshme, duke e quajtur si një marrëveshje të favorshme për vendin e tij. Vuçiq tha se Serbia do të nënshkruajë një marrëveshje tjetër trevjeçare me ofruesin shtetëror rus të energjisë Gazprom pasi marrëveshja aktuale 10-vjeçare e gazit të skadojë të hënën. “Ky është çmimi më i lirë në të gjithë Evropën. Ajo që ramë dakord, (presidenti rus Vladimir) Putin dhe unë, është shumë e dobishme për Serbinë dhe kështu do të nënshkruajmë një kontratë tjetër, pjesën e parë, e cila është një kontratë trevjeçare”, tha Vuçiq. Të dielën, Putin dhe Vuçiçqdiskutuan furnizimet me gaz natyror në vendin ballkanik, ku bëhet me dije se Rusia kishte rënë dakord të vazhdonte furnizimin me gaz natyror të pandërprerë në Serbi. Serbia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian apo NATO-s. Ajo është pothuajse tërësisht e varur nga gazi rus, ndërsa ushtria e saj mban lidhje me ushtrinë ruse. Megjithëse vendi mbështeti dy rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës, ai refuzoi të vendosë sanksione kundër Moskës. Pas bisedës telefonike Vuçic-Putin për gazin rus, Prishtina zyrtare ka reaguar, duke thënë se Serbia dhe Rusia po forcojnë partneritetin e tyre dhe pyesin Bashkimin Evropian, se “deri kur BE-ja do ta tolerojë këtë?”. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në Twitter se “Putin e Vuçiç nuk kanë më nevojë të takohen pasi marrëveshjet tani i arrijnë nëpërmjet bisedave telefonike”, duke rikujtuar një deklaratë të presidentit Vuçiç në lidhje me Kosovën, pas takimit të tij me Putin në Soçi më 25 nëntor të vitit 2021. Lidhur me marrëveshjen Serbi-Rusi, reagoi edhe presidenca e Kosovës përmes shefit të stafit të Presidencës, Blerim Vela.  “Serbia, një vend kandidat për në BE, në vend që të përafrohet me sanksionet e BE-së thellon bashkëpunimin me Rusinë. Deri kur BE-ja do ta tolerojë këtë?”, shkroi Vela në Twitter.

SHARE