MARKOVIQ: TË GATSHËM PËR DIALOG ME OPOZITËN

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, deklaroi se paralajmërimi i kthimit të opozitës në parlament është lajm i mirë.

Rikujtojmë se dje, Partia Social Demokratike dhe Demos paralajmëruan ndërprerjen e bojkotit të punës së Kuvendit.

Ndërsa lidhur me këtë Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, thotë se më në fund është lajm i mirë nga skena politike.

“Unë mendoj se Mali i Zi është duke hyrë në një fazë të re në të cilën çdo subjekt politik duhet të marrë përgjegjësi”, tha Markoviq duke shtuar se e gëzon fakti i paralajmërimit të kthimit të një pjese të opozitës në Kuvend.

“Ne jemi të gatshëm si pushtet të marrim pjesë në dialog. Qeveria nga këndi i saj, mendoj se ka shumë çështje në të cilat mund të punojmë “, tha Markoviq.

Markoviq, duke  u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve tha se nesër Qeveria do të shqyrtojë çmimet e karburanteve.

“Ne jemi të gatshëm të reagojmë”, tha kryeministri malazez, duke komentuar mbi rritjen më të fundit të çmimit të karburanteve.

“Në këtë moment nuk kemi marrë asnjë paralajmërim nga biznesmenët që mund t’i inkurajojnë ata të rrisin çmimet e shërbimeve të tyre”, tha Markoviq dhe shtoi se në varësi të ndryshimeve në tregun botëror, çmimet e karburanteve mund të ndryshohen edhe në tregun e MZ,  në 15 ditët e ardhshme.

“Nëse është e nevojshme, Qeveria është e gatshme të ndërhyjë për të mbrojtur standardin e qytetarëve, por natyrisht që të mos rrezikohet as ekonomia”, tha Markoviq.

Ndërsa duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësueseve të klubit të deputetëve, gjatë orës së kryeministrit,  Markoviq,  theksoi se integrimet  e Ballkanit nuk mund të vihen në pyetje, pasiqë ato janë në interes të rajonit dhe të Bashkimit Evropian.

Kryetari i Klubit të  deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve, Miodrag Radunoviq e pyeti  Kryeministrin  e Malit të Zi,  të njoftojë për përfundimin konkret të Samitit të BE-së, të Ballkanin Perëndimor në Sofje dhe të sqarojë përfitimet e tij konkrete për Malin e Zi. Markoviq,  tha se është i kënaqur me Samitin në Sofje.

Ai gjithashtu tha se çështja e zgjerimit nuk është më e rëndësishmja dhe se kjo nuk duhet të jetë përshtypja kryesore nga samiti.

“Integrimi i Ballkanit Perëndimor është në interes të përbashkët dhe ajo nuk vihet në pyetje”, tha Markoviq.

Kurse deputeti i Partisë Liberale, Andrija Popoviq,  e pyeti Markoviqin, çka  është duke ndërmarrë Qeveria për të justifikuar statusin e saj ekologjik. Kryeministri  malazez lidhur me këtë u shpreh se fokusi i posaçëm i këtij resorit ministror u vu në zbatimin e impianteve moderne të trajtimit të ujërave të zeza dhe të mbeturinave.

Deri më tani, sipas Markoviq, dy deponime rajonale dhe dy qendra riciklimi janë ndërtuar në katër objekte për trajtimin e automjeteve të mbetura.

 

SHARE