MILLATOVIQ: PA PUNË DINJITOZE NUK KA MAL TË ZI STABIL DHE EVROPIAN

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, gjatë Akademisë Sindikale për 1 Majin, foli për rëndësinë e punës, të drejtave të punëtorëve dhe sfidave të shoqërisë moderne.

Ai theksoi se, ndonëse sot nuk luftohet më për të njëjtat të drejta si para një shekulli, qëllimi mbetet i njëjtë: që çdo njeri të jetojë me dinjitet nga puna e tij.

Sipas tij, paga duhet të mjaftojë për jetesë, puna të jetë e rregulluar dhe të rinjtë të mos detyrohen të largohen nga vendi.

Millatoviq kujtoi historinë e lëvizjes punëtore dhe kontributin e Malit të Zi në këtë drejtim, duke përmendur organizimet e punëtorëve në të kaluarën dhe rindërtimin e vendit pas luftës.

Ai paralajmëroi për problemet aktuale si rritja e çmimeve, inflacioni dhe ulja e fuqisë blerëse, duke theksuar se shteti duhet të marrë masa konkrete për mbrojtjen e qytetarëve dhe standardit të jetesës.

Presidenti vuri theks të veçantë te:

  • nevoja për respektimin e ligjeve të punës,
  • mbrojtja e punëtorëve dhe punëdhënësve të ndershëm,
  • forcimi i inspektimeve, dhe
  • eliminimi i padrejtësive në tregun e punës.

Ai gjithashtu mbështeti rregullimin e së dielës si ditë jo pune, duke e quajtur çështje dinjiteti dhe familjeje.

Në fund, Millatoviq theksoi se zhvillimi i vendit varet nga puna e ndershme dhe dinjitoze, dhe se suksesi i shtetit matet me mirëqenien e qytetarëve, jo vetëm me rritjen ekonomike.

SHARE