QEVERIA SHQIPTARE PREMTON GARANCI SOVRANE PËR FURNIZIMIN ME PRODUKTET BAZË

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhvilloi sot një takim me importues, eksportues dhe përfaqësues të zinxhirit të furnizimit me mallrat e shportës, ku theksoi se qeveria në kuadër të përpjekjes për të minimizuar pasojat e krizës do t’i mbështesë ata me garancinë sovrane. Në një video të publikuar në Facebook, Rama tha se garancia sovrane do të ndihmoj furnizuesit e ushqimeve të marrin kredi me garanci të plotë të shtetit në mënyrë që të marrin edhe më shumë furnizim për ta pasur për çdo rast në afatgjatë. “Kjo garanci sovrane është që të gjitha ata që janë të përfshirë në zinxhirin e furnizimit të kenë mundësi të investojnë dhe shpenzojnë siç duhet. Kjo rezervë ekstra është dhe shtetërore në të njëjtën kohë, ju do ta përdorni siç përdorni zakonisht rezervat, por nëse mbetet për shkak të mbi furnizimit do ta marrë shteti, është e garantuar. Nuk ka asnjë diskutim që ju nuk do të humbisni asnjë qindarkë në këtë operacion”, tha Rama. Ministrja e Ekonomisë dhe Financave në Shqipëri, Delina Ibrahimaj tha sot se qeveria ka miratuar një vendim për të indeksuar pensionet me 3.3 për qind, për arsye të rritjes së çmimeve. Vendim u mor gjatë mbledhjes së qeverisë të mërkurën, u shpreh ministra Inrahimaj në një komunikim me gazetarët pas mbledhjes. Ibrahimaj shtoi se nga ky indeksim do të përfitojnë të gjitha llojet e pensioneve: të plota, të reduktuara dhe të invaliditetit. “Parashikimi fillestar ishte 2.4 për qind, sipas inflacionit mesatar të 12-mujorit të vitit 2021, megjithatë, për shkak të rritjes së çmimeve indeksimi do të jetë 3.3 për qind”, u shpreh Ibrahimaj. Gjatë mbledhjes së qeverisë u mor edhe vendimi nga Ministria e Turizmit për zgjatjen e moratoriumit të gjuetisë me 5 vite, për shkak se “ka sjellë rezultate pozitive në shtimin e popullatës së faunës”. U vendos po ashtu nga Ministria e Drejtësisë se Shqipëria do të miratojë 2 konventa të reja të Këshillit të Evropës, njëra prej të cilave synon të forcojë mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.

SHARE