Të gjithëve u ka ndodhur që të prekin gishtat në një hekur të nxehtë ose të nxjerrin një tepsi nga furra dhe pa dashje të digjen
Në një situatë të tillë, a duhet të nxitoni të merrni akull dhe ta shtypni atë në zonën e djegur?
Dermatologët thonë se kjo është gjëja më e keqe që mund ta bëni dhe që kompresa e akullt vetëm se do t’i shkaktojë lëkurës dëmin më të madh.
Njësoj është edhe me shpëlarjen e plagës me alkool. Lëkura duhet të ndihmohet me diçka që nuk do ta traumatizojë më shumë, transmeton Telegrafi.
“Madje edhe uji i ftohtë mund ta shtojë rrezikun nga infeksionet”, shpjegon dr. Allan Capin, specialist i mjekësisë urgjente.
“Për djegie të vogla, mund të aplikoni ujë të ftohtë (jo akull) duke vendosur – për shembull, dorën nën çezmë dhe duke e mbajtur kështu për pesë deri në njëzet minuta”, shpjegon doktori.
Pas kësaj, fshijeni butësisht ujin dhe aplikoni një agjent hidratues, më pas mbroni plagën me një kompresë pambuku ose fashë, duke pasur kujdes që të mos ngjitni copëzën mbi sipërfaqen e lëkurës së dëmtuar. Nëse keni dhimbje të forta, mund të merrni ndonjë analgjetik.
Ndërsa djegia është duke u shëruar, mbani rregullisht higjienën, lani zonën me sapun të vakët dhe aplikoni krem antibiotik për të parandaluar infeksionin.
Në rastet e djegieve më të mëdha duhet të kërkoni ndihmën e mjekut dhe kjo ndodh kur:
▪ djegia është më e gjerë se 10 cm,
▪ lëkura e djegur mbulon kyçin,
▪ djegia është në fytyrë, qafë, këmbë ose dorë,
▪ djegia dhemb për më shumë se dy javë ose
▪ nuk shërohet vazhdimisht.
Djegiet e shkallës së dytë janë ato në të cilat shfaqen flluska në lëkurë. Atëherë nuk duhet të përpiqeni kurrë të hiqni me forcë rrobat nga zona e djegur. Gjithashtu, mos spërkatni asnjë sprej të ndihmës së parë ose mos aplikoni pomada, pasi kjo vetëm do të ngadalësojë lëshimin e nxehtësisë nga pjesa e dëmtuar e trupit.
Nuk lejohet shpimi i flluskave, pasi kjo mund të çojë në infeksion, por duhet kërkuar ndihmë profesionale. Këto djegie mund të çojnë edhe në tetanos.
Djegiet e shkallës së tretë janë ato në të cilat lëkura bëhet e zezë ose lëndimi arrin në kockë. Ata kërkojnë kujdes të menjëhershëm mjekësor. /Telegrafi/