Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Ministri i Financave, Novica Vukoviq, tha sot se të vetmet borxhe që janë paraparë janë për financimin e buxhetit kapital dhe për detyrimet nga periudha paraprake.
„Në fillim të tremujorit të dytë kemi gjysmë miliardë, që është borxhi i vitit 2018, si dhe vendimi i borxhit që përcakton se mund të marrim 900 milionë borxh këtë vit për shërbimin e detyrimeve të periudhës së mëparshme,“ u tha sot ministri Vukoviq deputetëve në Parlamentin në kuadër të Orës së Kryeministrit.
“Cilët janë investitorët e rinj dhe investimet e reja që keni tërhequr në Mal të Zi? A ju duket Mali i Zi si një ishull i shkretë sot kur bëhet fjalë për investimet e huaja direkte dhe a jeni i shqetësuar se tre vjet me radhë kemi trende negative përmes librit të bardhë të investitorëve të huaj”, pyeti një prej deputetëve.
Vukoviq tha se situata është më e mirë se vitin e kaluar.
“Fluksi neto i investimeve të huaja direkte nga fillimi i vitit deri në shtator është 372.57 milionë euro, që është 18 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2023. Në strukturën e përgjithshme, investimet në prona të paluajtshme ende kanë peshën më të madhe”, ka thënë Vukoviq.
Deputeti Millosh Konatar (LQ URA) ka rikujtuar se si kryeministri Millojko Spajiq ka deklaruar në fund të vitit të kaluar se buxheti kapital për vitin 2025 do të jetë 900 milionë euro.
“Dhe tani po ju pyes, si ka ardhur nga 900 milionë në 280 milionë, sa ndahet për buxhetin kapital vitin e ardhshëm? Dhe si ndodh që ky buxhet kapital do të jetë një nga më të vegjlit dhe PBB-ja është pothuajse dyfishuar që nga viti 2020? Mendoj se do të ishte logjike që të dyfishohen ndarjet e kapitalit”, tha Konatar.