GJEKA: NË PROCES HARTIMI I LIGJIT TË RI PËR TË DREJTAT E NJERIUT

Mali i Zi është duke punuar në përmirësimin e kornizës ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, tha ministri Fatmir Gjeka, duke shtuar se është duke u bërë hartimi i ligjit të ri për mbrojtjen e barazisë dhe ndalimin e diskriminimit. Gjeka, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ftesë të Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut mori pjesë në festën e Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar. Me atë rast, Gjeka u prit nga David Carr përpara Këshillit Bashkiak, 50 Distriktet e Komunës Staten Island. Bashkëbiseduesit diskutuan për sfidat në fushën e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, tolerancës, pranimit të diversitetit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së kategorive të cenueshme sociale. Siç theksohet në njoftimin e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Gjeka ka sqaruar se departamenti që ai drejton, përveç asaj që është lartëpërmendur, mbulon edhe luftën kundër diskriminimit, arritjen e barazisë së plotë gjinore, si dhe është krijuar një njësi për ndërkulturalizëm. Ministri tha se gjatë ditëve të fundit ka biseduar me mërgimtarët malazezë dhe është njohur më shumë për aktivitetet e tyre për të përmirësuar mjedisin e përgjithshëm social, por edhe për të forcuar lidhjen me atdheun. “Mali i Zi është krenar për bashkëpunimin dhe lidhjet e tij me diasporën e tij në mbarë botën. Ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe historike është një nga segmentet bazë të ruajtjes së identitetit të përgjithshëm kombëtar,” tha Gjeka. Bashkëbiseduesit u shprehën se përveç forcimit të kornizës legjislative dhe institucionale, është jashtëzakonisht e rëndësishme që çdo shoqëri të forcojë vetëdijen për të kuptuar të drejtat e njeriut dhe respektimin e diversitetit.

SHARE