MILLATOVIQ: INTERESI PUBLIK ËSHTË INTERESI I QYTETARËVE, PUSHTETI DUHET TË JETË NËN KONTROLL

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se interesi publik duhet të jetë gjithmonë në qendër të vendimmarrjes shtetërore dhe se pushteti duhet të jetë i kufizuar nga rregullat dhe i nënshtrohet kontrollit institucional.

Duke folur në Forumin Antikorrupsion të organizuar nga Aleanca Qytetare dhe BIRN Mali i Zi, Millatoviq theksoi se lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm çështje e zbatimit të ligjit, por edhe përgjegjësi e shtetit ndaj qytetarëve.

Ai tha se vendimet që merren në emër të interesit publik duhet të jenë të arsyetuara, transparente dhe të verifikueshme, ndërsa qytetarët duhet të kenë mundësi të dinë se si dhe pse janë marrë ato.

Sipas tij, mungesa e transparencës dhe kontrollit institucional rrit rrezikun që interesi privat të vendoset mbi atë publik dhe dëmton besimin e qytetarëve tek institucionet.

Millatoviq theksoi se kjo vlen edhe për vendimet që lidhen me pronën shtetërore, shpenzimin e parave publike dhe investimet e rëndësishme, duke përmendur edhe marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ai tha se suksesi i rrugëtimit evropian të Malit të Zi nuk duhet të matet vetëm me numrin e kapitujve të mbyllur, por edhe me faktin nëse qytetarët shohin një shtet ku paratë publike menaxhohen me përgjegjësi, vendimet merren në mënyrë transparente dhe rregullat vlejnë njësoj për të gjithë.

SHARE