MALI I ZI MIRATON RREGULLA TË REJA PËR SEZONET E GJUETISË

Foto: Ilustrim

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave të Malit të Zi ka miratuar gjatë shtatorit 2026 rregulloren e re për sezonet e gjuetisë, e cila, sipas ministrisë, është hartuar në bazë të parimeve shkencore dhe profesionale, karakteristikave biologjike të llojeve dhe praktikave të vendeve evropiane.

Ministria thekson se qëllimi i rregullores nuk është rrezikimi i numrit të kafshëve të egra, por menaxhimi i qëndrueshëm i popullatave, ruajtja e gjendjes së tyre shëndetësore dhe përmirësimi i karakteristikave gjenetike e fenotipike.

Për herë të parë janë përcaktuar qartë sezonet e gjuetisë për të gjitha kategoritë e drerëve, kaprollit, dhisë së egër dhe muflonit, ndërsa për disa lloje periudhat janë përshtatur me karakteristikat biologjike, kushtet klimatike dhe migrimin e tyre, si dhe me nevojën për mbrojtjen e bujqësisë dhe pyjeve.

Ministria sqaron se kuotat dhe ditët e gjuetisë do të përcaktohen në mënyrë të planifikuar, bazuar në kriteret profesionale dhe kapacitetin e habitateve.

Rregullorja e re sjell edhe ndryshime në ditët e lejuara për gjueti, duke përfshirë mundësinë e gjuetisë të shtunave dhe gjatë ditëve të festave.

Megjithatë, nga ministria theksojnë se Mali i Zi mbetet ndër vendet evropiane me numrin më të vogël të ditëve të gjuetisë gjatë sezonit.

Ata paralajmërojnë gjithashtu se gjuetia e paligjshme, tejkalimi i kuotave të lejuara apo çdo shkelje tjetër e rregullave do të konsiderohet e papranueshme dhe se institucionet do të mbështesin zbatimin e ligjit për mbrojtjen e faunës dhe burimeve natyrore.

SHARE