Ekuipazhet ukrainase të tankeve në frontin lindor, kanë marrë në duar tashmë bishat amerikane Abrams, që sipas tyre do ti ofrojnë më shumë mbrojtje dhe fuqi zjarri në fushëbetejë.
Presidenti Volodimir Zelenski, tha të hënën se Ukraina kishte marrë dërgesën e parë të tankeve amerikane Abrams, që do të ndihmojnë në mbrojtjen e vendit përballë pushtimit rus.
Mark Milley, gjeneral i lartë amerikan, tha se ai i konsideron tanket M1 Abrams si më të mirët në botë dhe se ata do të bëjnë ndryshimin në luftën 19 mujore.
Me një motor të fuqishëm, me një tytë me predha 120 milimetërshe dhe me armaturë të pathyeshme, tanku Abrams është veçanërisht vdekjeprurës për forcat armike.
Ekuipazhet ukrainase që po trajnohen në rajonin e Donetskut, në Ukrainën Lindore, thonë se pasi të hyjnë në fushëbetejë, tanket Abrams do të jenë një hap i madh përpara krahasuar me tanket e erës sovjetike me të cilët ata luftojnë aktualisht.
“Tanket Abrams kanë mbrojtje ndaj shpërthimit të municioneve. Tanket sovjetike nuk e kanë atë. Nëse municionet shpërthejnë, nuk ka shans të mbijetosh”, thotë 29 vjeçari Vitali.
Komandanti që ka emrin e luftës Uel, thotë se ekipit të tij i duhet fuqi zjarri dhe mbrojtje shtesë që afrohet vetëm nga tanket Abrams dhe tanket e tjera perëndimore, si leopardët gjermanë.
Sipas tij, armatura e këtyre tankeve është më e mirë dhe ata janë më efikasë në luftime. Dhe siç është provuar tashmë, tanket T-72, që përdoren nga rusët, nuk kanë asnjë shans përballë leopardëve gjermanë…
“Ata shpohen si të ishin një tigan…duhet vetëm një predhë ose dy dhe nuk mbetet më asgjë”, thotë ai.