PA KUORUM PËR SEANCËN PËR SHKARKIMIN E ANDRIJA MANDIQIT, OPOZITA NDËRPRET BASHKËPUNIMIN ME QEVERINË

Foto: Igor Šljivančanin

Parlamenti i Malit të Zi nuk arriti të zhvillojë seancën e parashikuar për diskutimin e nismës për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq.

Seanca nuk nisi për shkak të mungesës së kuorumit, pasi në sallë nuk u paraqitën shumica e deputetëve të pushtetit.

Nismën për shkarkimin e Mandiqit e ka paraqitur Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) dhe ajo është nënshkruar nga 35 deputetë, përfshirë përfaqësues të opozitës dhe disa deputetë të partive që janë pjesë e shumicës parlamentare.

Pas dështimit të seancës, kryetari i PDS-së, Danijell Zhivkoviq, deklaroi se partia e tij do të ndërpresë, deri në zhvillimin e seancës për këtë nismë, bashkëpunimin institucional me qeverinë dhe shumicën parlamentare.

Ai akuzoi Mandiqin se ka penguar zhvillimin e seancës dhe tha se Kuvendi nuk mund të funksionojë vetëm kur rezultatet e votimeve i përshtaten shumicës.

Në sallë, përveç deputetëve të opozitës, ishin të pranishëm edhe disa deputetë të Partisë Boshnjake, ndërsa nga Levizja „Evropa Tani“ ishte i pranishëm Seid Haxhiq.

Pjesa tjetër e deputetëve të shumicës nuk u paraqit, duke bërë të pamundur konstatimin e kuorumit.

Situata u shoqërua me debate të ashpra.

Deputetët e opozitës kërkuan edhe praninë e gazetarëve dhe kamerave në sallën plenare, por administrata e Kuvendit nuk e lejoi hyrjen e tyre, ndërsa zhvillimet u ndoqën nga tribunat e shtypit.

SHARE