BAJRAKTARI: U VENDOSËN BAZA TË SHËNDOSHA PËR REALIZIMIN E PROJEKTEVE TË MËDHA

Me rastin e 100 ditëve të ardhjes si kryetar i Komunës së Ulqinit dhe punës së administratës lokale në përbërjen e re, në konferencën e sotme për media, Omer Bajraktari ka përmbledhur rezultatet e arritura në periudhën paraprake. Kryetari Bajraktari, duke analizuar punën e tij në periudhën e kaluar, u tha gazetarëve se qeverisja e re komunale në këtë qytet arriti të vendosë baza të shëndosha për realizimin e projekteve të mëdha dhe se në të ardhmen pret shumë gjëra të bukura dhe të dobishme për përmirësimin e cilësisë së jetës të qytetarëve. “Me riorganizimin e Komunës formuam sekretariate të reja – Sekretariatin për Bujqësi, Zhvillim Rural dhe Ekologji, Sekretariatin për Kulturë, Sport, Rininë dhe Veprimtaritë Sociale dhe Sekretariatin për Investime, duke shfuqizuar njëkohësisht sekretariatet e panevojshme dhe jofunksionale, të cilat kanë buxhetet e tyre.  Për një kohë të shkurtër është shënuar progres i dukshëm në Sekretariatin për Buxhet dhe Financa, i cili ka arritur që realizimin e buxhetit ta bëjë më të lartë për 1.500.000 euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Komuna e Ulqinit arriti të zhbllokojë projektin e furnizimit me ujëra të zeza me bankën zhvillimore gjermane “KFW”, vlera e fazës së parë të së cilës është vetëm rreth 20 milionë euro, kemi nisur një iniciativë për zgjidhjen e problemit që ka pllakosur qytetin për vjet dhe po e shemb Qytetin e Vjetër të Ulqinit,” tha ai Bajraktari. Ai posaçërisht theksoi bashkëpunimin shumë të mirë të Komunës së Ulqinit me Qeverinë e Malit të Zi, dhe dëshirën e përbashkët që Ulqini realisht të bëhet një nga qytetet më të zhvilluara në Mal të Zi. Ai njoftoi fillimin e ndërtimit të hotelit të parë të madh me pesë yje në Plazhin e Madh, fillimin e ndërtimit të një hoteli të ri në ish-lokacionin e Hotel Galeb, më pas asfaltimin e bulevardit Teuta që të çon në plazhin e Madh dhe shumë projekte të tjera në të mirë të qytetarëve. 

SHARE