ABAZOVIQ: GJUKANOVIQ NUK KA MUNDËSI LIGJORE PËR TË SHPËRNDARË KUVENDIN

Presidenti Millo Gjukanoviq nuk ka mundësi ligjore të shpërndajë Parlamentin e Malit të Zi, tha kryeministri në mandat teknik Dritan Abazoviq. Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi nesër duhet të diskutojnë propozimin e presidentit të vendit, Millo Gjukanoviq për shkurtimin e mandatit të Kuvendit. “Gjukanoviq ka shfrytëzuar mundësinë ligjore që i ka dhënë Kushtetuta për t’i propozuar Kuvendit shkurtim të mandatit. Është në dorën e deputetëve që nesër të vendosin nëse duan t’u shkurtohet mandati apo jo. Mendoj se disponimi i tyre është se ata nuk duan t’u shkurtohet mandati”, u tha Abazoviq gazetarëve. Ai vuri në dukje se Gjukanoviq ka vetëm një mundësi, që është t’ia besojë mandatin Miodrag Lekiqit. “Kaq mund të bëjë, çdo gjë tjetër është dhunë ligjore, mendoj se pas gjithë asaj që ka bërë në periudhën e kaluar dhe votimit të deputetëve të tij për Qeverinë e 43-të, më e pakta që ka të drejtë të bëjë është të na ngacmojë politikisht dhe të përpiqet të gjejë ndonjë veprim të kundërligjshëm për të detyruar dikë të bëjë diçka”, tha Abazoviq. “Nëse deputetët duan të shkojnë në zgjedhje, ne do të shkojmë në zgjedhje, nëse ata nuk duan, ne i dimë procedurat”, shtoi ai.

SHARE