KOSOVË / DIALOGU E VETMJA ZGJIDHJE PËR KRIZËN NË VERI

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi të mërkurën në Prishtinë se është shumë e shqetësuar me krizën në veri të Kosovës dhe se sipas saj gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndodhë përmes dialogut në Bruksel. “Është shumë më rendësi që ne të ecim tutje përpara në rrugën evropiane. Ka rëndësi jetike që të bëhet normalizimi i mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi von der Leyen gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Zgjidhja e vetme e krizës aktuale që po mbizotëron në veri të Kosovës, sipas von der Leyen, është tryeza e bisedimeve në Bruksel. “Më duhet të them që jam shumë e shqetësuar me krizën aktuale. Është shumë me rëndësi që të shtensionohet situata, të kthehemi në tryezën e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. E vetmja mënyra sesi mund të bëhet kjo është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, që është platforma e vetme e zgjidhjes së krizës aktuale”, deklaroi von der Leyen. Von der Leyen tha se do të vazhdojë te jetë në kontakt me Qeverinë e Kosovës, sepse sipas saj, ajo dëshiron që të shohë Kosovën të shënojë përparim. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas tij bëri deklarata luftënxitëse që rezultuan me djegien e dy qendrave të regjistrimit të automjeteve në veri të vendit më 25 shtator.

SHARE