Foto: Shutterstock
Teksa Mali i Zi i afrohet anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Brukseli ka nisur punësimin e përkthyesve dhe zyrtarëve që flasin gjuhën malazeze, si pjesë e përgatitjeve që ajo të bëhet gjuha e 25-të zyrtare e BE-së.
Shërbimi Juridik i Këshillit të Bashkimit Evropian kërkon asistentë që do të ndihmojnë në hartimin e Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi në BE, si dhe në përkthimin e legjislacionit evropian.
Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, tha se kjo hap mundësi të reja për qytetarët e Malit të Zi për të ndërtuar karrierë në institucionet e Bashkimit Evropian.
Mali i Zi ka mbyllur gjysmën e kapitujve të negociatave dhe synon të bëhet anëtari i 28-të i BE-së deri në vitin 2028.
Pas anëtarësimit, gjuha malazeze do të përfshihet në listën e gjuhëve zyrtare të Unionit.
Sipas burimeve të përfshira në negociata, dokumentet zyrtare të BE-së do të hartohen në alfabetin latin, i cili është më i përdorur në Mal të Zi, megjithëse në vend përdoren dhe mësohen si alfabeti latin ashtu edhe ai cirilik.
Ekspertët vlerësojnë se, megjithëse gjuha malazeze ka mbi 95 për qind ngjashmëri me gjuhët kroate, serbe dhe boshnjake, përkthyesit e veçantë janë të domosdoshëm për të përcjellë saktë specifikat gjuhësore, juridike dhe kulturore të secilit shtet.
Aktualisht, Bashkimi Evropian shpenzon rreth 1 miliard euro në vit për përkthimin e dokumenteve në 24 gjuhët zyrtare, ndërsa me përfshirjen e gjuhës malazeze do të nevojiten përkthyes dhe interpretë shtesë.










