NESËR HAPET SEZONI KRYESOR TURISTIK NË ULQIN

Fillimin e sezonit kryesor turistik në Ulqin do ta shënojë koncerti spektakular i cili do të mbahet në Molen e Madhe  të rekonstruar, poshtë mureve të Kalasë shekullore.

Ylli i kësaj mbrëmje do të jetë tenori i njohur Ramë Lahaj nga Kosova i cili gjatë karierës së tij ka interpretuar në skenat më të njohura botërore dhe si i tillë është shpërblyer me një sërë mirënjohjesh të çmuara.

Kështu për shëmbull, në vitin 2016 Lahaj triumfon në garën “Operalia” që e organizon një nga interpretët më të njohur të operës botërore Placido Domingo.

Gjatë vitit 2017 me këtë tenor të njohur spanjoll dhe Marina Rebeka, Lahaj mban koncert ne Operën nacionale te Parisit e një vit më vonë dhe në teatrin e njohur Bollshoi në Moskë.

Gjatë kohës së pandemisë 2020/21 në Operën e Australisë në Sidnej ai filloi me rrolin e Alfredit, ku në formë maestrale  ka mishëruar naivitetin e të riut i cili në mënyrë të shkujdesur dashurohet në gruan nga komuniteti.

Kjo shfaqe është emituar në kinema të shumta botërore. Maestro Ramë Lahaj ka paraqitur kënaqësi që më në fund i jepet rasti të jetë mysafir në Ulqin.

„Ulqini edhe për mua si për shumë kosovarë dhe jo vetëm, asht romanca dhe eksperienca jonë e parë me detin e me dashninë e madhe të mikpritjes së Ulqinakëve. Shihemi së shpejti“, porositi ai duke i shpreh falenderime të sinqerta per ftesën zyrtarëve të Qeverisë së Malit të Zi, Komunës së Ulqinit  dhe institucioneve lokale.

SHARE