BUNDESTAGU DËSHIRON QË MALI I ZI TË BËHET PJESË E BASHKIMIT EVROPIAN

Bundestagu i jep mbështetje të plotë Malit të Zi për të qenë anëtari i parë i ardhshëm i Bashkimit Evropian, ky është mesazhi nga takimi i kryeministrit Millojko Spajiq me kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth.

Në takim u vlerësua se qeveria aktuale ka përshpejtuar procesin integrues, kështu që Mali i Zi është bërë një histori e suksesshme evropiane dhe, në këtë kontekst, një model se si realizimi i reformave jep rezultate, sepse sjell përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.

Kryeministri Spajiq theksoi se është prioritet i plotë për Qeverinë që t’i plotësojë kushtet për marrjen e IBAR-it.

U diskutua edhe për situatën në rajon, si dhe u theksuan përpjekjet e Malit të Zi për të promovuar rëndësinë e marrëdhënieve të mira në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

U konstatua se procesi i zgjerimit është mënyra më e lehtë, por edhe më sfiduese për të arritur një Ballkan Perëndimor paqësor dhe të begatë.

Po ashtu, u konstatua se forcimi i shtetit të së drejtës, pavarësia e gjyqësorit dhe liria e medias janë çelësi për përfundimin e integrimit.

Në takim, kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme të Bundestagut theksoi rëndësinë e përputhshmërisë së plotë të Malit të Zi me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, si konfirmim të partneritetit të vërtetë dhe dëshirës së Malit të Zi për t’u bërë pjesë e BE-së.

Gjithashtu, u diskutua edhe për rëndësinë e integrimit ekonomik dhe në këtë kuptim u vlerësua se Mali i Zi ka potencial për zhvillim të shpejtë ekonomik, për të arritur sa më shpejt nivelin e vendeve të caktuara të Bashkimit Evropian.

SHARE