SHARANOVIQ: NË MAL TË ZI KA MBI 48 MIJË PERSONA MË SHUMË NË LISTËN E VOTUESVE SESA NË REGJISTRIMIN E POPULLSISË

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Danillo Sharanoviq, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me mospërputhjen mes listës së votuesve dhe të dhënave të regjistrimit të popullsisë.  

Ai deklaroi në Kuvendin e Malit të Zi se në listën e votuesve janë të regjistruar 543.380 persona të rritur, ndërsa sipas regjistrimit të popullsisë në vend jetojnë 494.937 të rritur.

Kjo krijon një diferencë prej mbi 48 mijë personash, gjë që sipas tij është “shumë e madhe”.

Sipas ministrit, kjo mospërputhje lidhet kryesisht me qytetarë që jetojnë në vende të tjera, por nuk e kanë çregjistruar vendbanimin në Mal të Zi dhe ende figurojnë në listën zgjedhore.

Ai shtoi se rreth 14 mijë persona nuk kanë ndërruar kartën e identitetit që nga viti 2008, ndërsa për shumë prej tyre nuk ka qenë e mundur as t’u dorëzohet njoftimi për azhurnim të dokumenteve.

Sharanoviq theksoi se Ministria e Brendshme po punon për përditësimin e listës zgjedhore përmes një grupi punues, duke synuar pastrimin e të dhënave dhe rritjen e saktësisë së saj para zgjedhjeve.

Sipas tij, këto të dhëna tregojnë nevojën për një listë votuesish më të saktë dhe më të kontrolluar, pasi mospërputhjet aktuale mund të ndikojnë në besueshmërinë e procesit zgjedhor.

SHARE