Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, mori pjesë për herë të parë si shtet i asociuar në Samitin e Iniciativës “Tre Detet” që u mbajt në Dubrovnik.
Ai theksoi se kjo pjesëmarrje është shumë e rëndësishme për Malin e Zi dhe vjen pas vendimit të marrë vitin e kaluar në Poloni për përfshirjen e Malit të Zi në këtë iniciativë.
Millatoviq falënderoi shtetet anëtare për mbështetjen dhe veçanërisht Kroacinë si vend mikpritës. Ai tha se Iniciativa “Tre Detet” është një platformë e rëndësishme për forcimin e lidhjeve, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e stabilitetit afatgjatë në Evropë.
Sipas tij, në kohë pasigurie gjeopolitike, bashkëpunimi rajonal është jo vetëm i dobishëm, por i domosdoshëm. Ai përmendi luftën në Ukrainë dhe krizën në Lindjen e Mesme si sfida që ndikojnë në stabilitetin global dhe e bëjnë edhe më të rëndësishëm bashkëpunimin mes vendeve.
Presidenti Millatoviq theksoi se Iniciativa mund të ndihmojë në përmirësimin e infrastrukturës, energjisë dhe transportit, duke rritur lidhshmërinë dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.
Ai veçoi si projekt të rëndësishëm Korridorin Adriatiko-Jonian.
Millatoviq gjithashtu rikujtoi se Mali i Zi po punon drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe është i përkushtuar ndaj vlerave evropiane, duke e parë të ardhmen e vendit në BE.
Në fund, ai tha se Mali i Zi është një aktor i besueshëm rajonal dhe do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin në kuadër të kësaj iniciative.










