OSMANI, KURTI DHE RAMA UROJNË KRYEMINISTRIN E RI TË MALIT TË ZI, DRITAN ABAZOVIQ

Krerë të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë e kanë uruar zgjedhjen e kryeministrit të ri të Malit të Zi, kryetar i Lëvizjes Qytetare – URA, Dritan Abazoviq.  Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një shkrim në rrjetet sociale ka thënë se në këtë kohë kur kontinenti evropian po sfidohet nga autokratët dhe kur vazhdimisht po sulmohen vlerat demokratike, “është jashtëzakonisht premtuese të shohësh në krye të institucioneve të një vendi fqinj një mik me të cilin ndajmë rrugën e përbashkët drejt integrimit në BE”. “Sot është po ashtu një arritje e rëndësishme për shqiptarët në Mal të Zi. Kosova dhe Mali i Zi gëzojnë raporte të shkëlqyera e jam e sigurt se bashkëpunimi bilateral do të intensifikohet gjithnjë e më shumë. Urime e punë të mbarë, Kryeministër Abazoviq!”, ka shkruar presidentja Osmani. Edhe kryeministri kosovar, Albin Kurti, e ka uruar kryeministrin e ri Abazoviq. “Përgëzoj përzemërsisht Dritan Abazoviqin, kryeministrin e parë të Malit të Zi nga komuniteti shqiptar i vendit. Mezi pres të punojmë së bashku ngushtë për të adresuar sfidat e shumta me të cilat përballemi në rajon”, shkroi Kurti në rrjetet sociale. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur kënaqësinë e tij për zgjedhjen e Dritan Abazoviqit në krye të Qeverisë së Malit të Zi. “I lumtur që Dritan Abazoviq është nga sot kryeministri i Malit të Zi! Kush do ta kishte besuar dot deri dje se Ballkani me 6 shtete do të kishte 3 kryeministra shqiptarë. Na takon ne të japim provën si ndërtues të mirë urash për paqe mes të gjithëve e mirëqenie për të gjithë”.

SHARE