PUNIME MË INTENSIVE NË BULEVARDIN AERODROM TIVAT-JAZ PAS VERËS

Kontrata për ndërtimin e bulevardit në seksionin e rrugës kryesore M-1 Aerodrom Tivat-Jaz është nënshkruar sot në Villa Goricë nga Radomir Vuksanoviq, drejtor i Administratës së Trafikut, Borisllav Ivankoviq, drejtor ekzekutiv i Ujësjellësit Rajonal Bregdetar të Malit të Zi dhe Lu Yao, përfaqësues i konsorciumit Shandong.

Kryeministri në mandat teknik Dritan Abazoviq tha me atë rast se puna më intensive në bulevard do të fillojë pas verës.

Ai tha gjithashtu se ambicia e Qeverisë është që të ndërtohet vazhdimësia e autostradës ekzistuese si dhe autostradës Adriatik-Jonian.  

Qeveria e Malit të Zi njoftoi se bëhet fjalë për rikonstruksionin e seksionit më të frekuentuar në vend, i cili kërkon ndërtimin e një rruge moderne të tipit bulevard me dy korsi qarkullimi, trotuare në të gjithë gjatësinë e rrugës dhe rrethrrotullime, si dhe një tubacion i ri i Ujësjellësit Rajonal që do të përmirësojë furnizimin me ujë të komunave Tivat, Kotor dhe Herceg Novi.

Sipas tyre, projekti i rindërtimit parashikon ndërtimin dhe rindërtimin e pesë urave.

“Projekti do të përfshijë sisteme të reja pasive të sigurisë në komunikacion si dhe sinjalistikë të re të komunikacionit. Projekti parasheh edhe ndërtimin e ndriçimit publik në të gjithë gjatësinë e rrugës prej 16 km”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Gjatë nënshkrimit ceremonial u theksua se kjo është një nga rrugët më të frekventuara dhe më të ngarkuara në Mal të Zi.

SHARE