RUSIA DO TË ULË AKTIVITETIN USHTARAK JASHTË KIEVIT DHE CHERNIHIV

Zv/ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Aleksandr Fomin, ka deklaruar se Rusia do të ulë ndjeshëm aktivitetet e saj ushtarake në drejtim të kryeqytetit Kiev dhe qytetit verior ukrainas Chernihiv, me qëllim për të rritur besimin për negociatat e ardhshme. Pas takimit në ditën e parë të bisedimeve të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, që po mbahen në Stamboll, Fomin foli para mediave. “Ministria e Mbrojtjes e Federatës Ruse për qëllime të ndërtimit të besimit dhe krijimit të kushteve për zhvillimin e mëtejshëm të bisedimeve, për arritjen e qëllimit përfundimtar të marrëveshjes dhe nënshkrimit të një traktati të paqes mori vendim për të ulur rrënjësisht aktivitetet ushtarake në drejtim të Kievit dhe Chernihivit”, tha Fomin. Zv/ministri rus tha se detajet do të jepen nga Shtabi i Përgjithshëm i Rusisë pasi delegacioni të kthehet në Moskë. Ai po ashtu theksoi se Moska pret që edhe Kievi të krijojë kushte për “punë normale” të mëtejshme. Fomin i kërkoi Ukrainës që të marrë masa për të ndaluar torturën e pretenduar ndaj robërve rusë të luftës, pasi në një pamje që qarkullon në internet ushtarët rusë të kapur qëllohen në këmbë nga forcat të dyshuara ukrainase. “Do të doja t’u bëj thirrje përfaqësuesve të Ukrainës dhe t’i bëj thirrjes Ukrainës që të respektojë Konventat e Gjenevës, përfshirë trajtimin njerëzor të të burgosurve të luftës”, tha ai. Ndërkohë, kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsku, tha se një takim midis presidentëve të Rusisë dhe Ukrainës mund të mbahet pasi të jetë gati dhe i miratuar një draft i një traktati të mundshëm të paqes. “Ky takim është i mundur, është i mundur kur një traktat të jetë gati për nënshkrim, i përpunuar nga negociatorët dhe ministrat e jashtëm. Nëse puna për traktatin është e shpejtë dhe gjendet një kompromis, mundësia për paqe do të jetë shumë më e afërt”, tha Medinsku. Sipas tij, takimi në Stamboll ishte “konstruktiv” dhe pala ukrainase paraqiti “qëndrimin e saj gjithë-përmbledhës” për ta përfshirë në traktatin e paqes. “Këto propozime do të do të shqyrtohen në të ardhmen e afërt, do t’i raportohen presidentit dhe do të jepet përgjigja jonë përkatëse”, tha Fomin. Turqia ka fituar vlerësime të gjera për përpjekjet e saj për t’i dhënë fund luftës, e ndihmuar nga pozicioni i saj unik në marrëdhëniet miqësore me Rusinë dhe Ukrainën.

SHARE