ANËTARËSIMI NË BE DERI NË VITIN 2028, PROJEKTET E MËDHA TË INFRASTRUKTURËS DO TË PËRFUNDOJNË DERI NË VITIN 2030

Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq ka dhënë një intervistë për Financial Times në të cilën ka deklaruar se Mali i Zi po përpiqet të arrijë anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028 dhe paralajmëroi projekte të shumta infrastrukturore, realizimi i të cilave pritet deri në vitin 2030.

Në kuadër të integrimeve evropiane, kryeministri tha se Mali i Zi mund të përparojë shpejt.

“Strategjia jonë është që të jemi anëtari i 28-të deri në vitin 2028,” tha ai.

Në tekst thuhet se Mali i Zi ka futur reforma në drejtësi, ka rritur shumën e pagës mesatare, ka kufizuar përdorimin e parave të gatshme në transaksione të mëdha si ato me pasuri të paluajtshme për të çrrënjosur pastrimin e parave dhe po punon për të shtypur krimin e organizuar.

“Reformat duhet të shpërblehen së shpejti, përndryshe çfarë kuptimi ka një qasje e bazuar në merita? konstatohet në tekst, ndërsa Financial Times kujton se komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varheli, i tha FT-së këtë muaj se kandidaturat për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit do të “përshpejtohen”, por që u takon atyre të “dëshmojnë se duhet të pranohen shpejt”.

Kryeministri foli edhe për praktikat e huamarrjes së mëparshme, konkretisht në kuadrin e kredive për autostrada.

“Mali i Zi ka keqmenaxhuar projekte të mëdha ndërtimi në të kaluarën, si një kontratë e vitit 2014 për një pjesë të shkurtër të autostradës që ekspozoi ekonominë ndaj një kredie miliardë dollarëshe kineze – një të katërtën e produktit të brendshëm bruto të atëhershëm vjetor të vendit – dhe përdorte infrastrukturën kryesore, duke përfshirë portet e rëndësishme detare, si kolateral. Podgorica nxori një mësim dhe e zvogëloi atë ekspozim nën 10 përqind të PBB-së,“ tha Spajiq.

Mundësitë për investitorët janë të shumta, theksoi kryeministri dhe shtoi se ato përfshijnë projekte të mëdha infrastrukturore, si autostrada përgjatë detit Adriatik dhe drejt Serbisë, si dhe disa modernizime të aeroporteve, porteve detare dhe hekurudhave, të cilat sipas tij duhet të përfundojnë deri në fund të vitit 2030.

Spajiq vuri në dukje nevojën për ndarje më të madhe për mbrojtje nga vendet anëtare të NATO-s dhe tha se mesazhi që merr nga SHBA-ja është se ata duan të shohin pjesëmarrje më të madhe dhe aktive të të gjithë aleatëve brenda aleancës.

“Ne jemi dakord – secili duhet të jetë partner konstruktiv dhe i besueshëm”, përfundoi kryeministri.

SHARE