MANDIQ: KONTRIBUT I RËNDËSISHËM I KUVENDIT TË MALIT TË ZI NË PROCESET REFORMUESE

Gjatë tre muajve të mëparshëm, Kuvendi i Malit të Zi përfundoi me sukses një sërë procedurash për zgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve të lartë në fushën e gjyqësorit, duke i dhënë fund punës shumëvjeçare në ushtrues detyre në këto pozita të rëndësishme, tha kryetari i Kuvendit të Malit të Zi Andrija Mandiq.

Mandiq sot ka njoftuar Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola dhe ambasadoren e Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Oana Kristina Popa, për rezultatet e arritura të mbledhjes së 28-të të Parlamentit të Malit të Zi, kur bëhet fjalë për zhvillimet e shumta kyçe për forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike dhe të shtetit ligjor në vendin tonë.

Siç është bërë e ditur nga Kuvendi, Mandiq posaçërisht ka theksuar se Kuvendi, me mbështetjen e konsiderueshme të 61 deputetëve, që është më shumë se 75% e numrit të përgjithshëm të deputetëve, ka miratuar Vendimin për zgjedhjen e Prokurorit Suprem të Shtetit të Malit të Zi.

“Dëshiroj të ndaj me ju bindjen time të thellë se Parlamenti i Malit të Zi do të vazhdojë të arrijë rezultate të jashtëzakonshme kur bëhet fjalë për rrugën evropiane të vendit tonë, por edhe kur bëhet fjalë për të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë me një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tanë,“ theksoi Mandiq.

Ai shtoi se është detyrë e tij si kryetar i Kuvendit, por edhe të gjithë deputetëve të shumicës parlamentare, ta pajtojnë Malin e Zi dhe ta bëjnë atë një shoqëri stabile, në të cilën të gjithë do të kenë të drejta dhe mundësi të barabarta.

“Jam i bindur se kontributi i Parlamentit të Malit të Zi në proceset reformuese dhe ndërtimin e paqes së përgjithshme sociale do të jetë një nxitje e fortë për përparimin e vendit tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe se përkushtimi i vazhdueshëm i mbledhjes aktuale parlamentare do të njihet si përkushtimi ynë i sinqertë për përshpejtimin e këtij procesi”, tha Mandiq.

SHARE