Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi në Konferencën Ndërparlamentare me përfaqësues të institucioneve shqiptare, Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve europiane se Shqipëria ka një avantazh të rëndësishëm në procesin e integrimit, pasi qytetarët vijojnë ta mbështesin fuqishëm anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Rama theksoi se shqiptarët e shohin BE-në si një objektiv të rëndësishëm dhe u bëri thirrje vendeve europiane që të marrin vendime politike për zgjerimin sa më shpejt, duke paralajmëruar se nëse Evropa e lë pas Ballkanin Perëndimor, kjo do të ishte një dështim edhe për vetë Evropën.
Ai kërkoi që vendimet politike të mos shtyhen deri në përfundim të reformave, por të merren më herët dhe më pas procesi të vijojë mbi bazën e meritës së secilit vend kandidat.
Rama foli gjithashtu për ndryshimet në Shqipëri gjatë dekadës së fundit, duke thënë se vendi ka bërë përparim të dukshëm dhe se qytetarët sot kanë më shumë shpresë dhe besim se gjërat mund të përmirësohen.
Sipas tij, Shqipëria po zhvillohet dhe ka potencial për të bërë hapa të mëtejshëm në rrugën drejt Bashkimit Europian.








