AMBASADORJA E BE-së: E ARDHMJA E SHQIPËRISË ËSHTË NË FAMILJEN EUROPIANE

Ambasadorja e re e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, deklaroi se vendi ka hyrë në një fazë të re të procesit të integrimit europian, ndërsa theksoi rëndësinë e reformave dhe zbatimit të tyre në praktikë.

Duke folur në Konferencën Ndërparlamentare me temë “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, ambasadorja tha se zgjerimi është një projekt politik dhe një proces që sjell transformimin e institucioneve dhe shoqërive.

Sipas saj, Shqipëria ka hapur të gjithë grup-kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur provizorisht tre prej tyre, duke e bërë më të prekshme të ardhmen europiane të vendit.

Moreira de Sousa vlerësoi përparimin e Shqipërisë në fusha të rëndësishme, veçanërisht reformën në drejtësi dhe procesin e vettingut, duke theksuar krijimin dhe forcimin e institucioneve të pavarura gjyqësore.

Ajo nënvizoi se anëtarësimi në BE nuk duhet parë vetëm si objektiv politik, por si një proces që sjell ndryshime konkrete për qytetarët shqiptarë.

Ambasadorja theksoi se miratimi i legjislacionit është vetëm një pjesë e procesit, ndërsa zbatimi i tij në praktikë është thelbësor.

Sipas saj, institucionet shqiptare duhet të funksionojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe të pavarur, ndërsa Shqipëria e ka bërë të qartë zgjedhjen e saj dhe e ardhmja e saj është në familjen europiane.

SHARE