PRESIDENTJA E KOMISIONIT EVROPIAN VIZITË ZYRTARE NË SHQIPËRI

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula Von Der Leyen, gjatë vizitës së saj zyrtare në Tiranë më 28 shtator, tha se KE-ja mbështet çfarëdo iniciative që është brenda Procesit të Berlinit duke vënë theks te iniciativa “Ballkani i Hapur”, e njohur më parë si mini-Shengeni Ballkanik. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ajo tha se “Ballkani i Hapur” duhet të jetë një proces i hapur, gjithëpërfshirës dhe që thellon bashkëpunimin ekonomik mes vendeve të rajonit. Ndërkohë, kryeministri Rama tha se shtetet që ende nuk kanë pranuar të bëhen pjesë pjesë e kësaj iniciative, do t’i bashkohen herët a vonë. Zonja Von Der Leyen gjatë vizitës së saj në Tiranë foli edhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke thënë se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Ajo theksoi Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë që jenë në BE dhe për këtë nuk ka asnjë pikë dyshimi. “Unë jap mbështetjen time të plotë për të ecur përpara për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ajo. “Që të fillojnë bisedimet për anëtarësim, ne e kemi biseduar që në të shkuarën dhe po vazhdojmë të punojmë fort për këtë gjë dhe dua shumë që ky proces të ecë përpara që të fillojmë përpara fundit të vitit”, u shpreh Von der Leyen. Në anën tjetër, Rama tha se procesi i anëtarësimit nuk varet më nga Shqipëria.  “Nuk vë bast më për asnjë datë apo afat. Jemi përgatitur shumë herë për dasmë dhe krushqit nuk janë paraqitur. Është e qartë. Ne kemi në dorë të bëjmë punën tonë dhe jo se na e imponon Brukseli, por se na e imponon e ardhmja e fëmijëve. Hapen nuk hapen, kjo është një çështje e BE dhe nuk është as e Komisioni, por e Këshillit, madje as e këtyre po e një anëtari të BE që gdhihet me nerva me fqinjin”, tha kreu i qeverisë. Ursula Von der Leyen komentoi edhe tensionet midis Serbisë dhe Kosovës, ku nënvizoi se “është thelbësore që të ulet tensioni dhe të rifillojë dialogu. “Edhe BE pas luftës u rindërtua fillimisht në dimensionin ekonomik, hap ky që solli me vonë edhe pajtimin”, tha ajo. Presidentja e Komisionit Evropian vizitoi një kopsht për fëmijë të ndërtuar me fonde nga KE, në Qerek të Krujës.

SHARE