WALKER: PARTITË NË KOSOVË TË BASHKOHEN DHE TË ZGJEDHIN PRESIDENTIN

Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që të lënë mënjanë përçarjet dhe të bashkohen për zgjedhjen e presidentit të ri, duke paralajmëruar se zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje për krizën aktuale politike.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Walker tha se përsëritja e zgjedhjeve mund të prodhojë rezultate të ngjashme dhe të dëmtojë progresin që Kosova ka bërë që nga paslufta dhe veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

Ai ka propozuar Faton Bislimin për president, duke e vlerësuar si një figurë që mund të bashkojë partitë dhe shoqërinë kosovare.

Walker tha se Bislimi ka përvojë, arsimim, njohuri për Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe një profil që, sipas tij, i përshtatet postit të presidentit. Walker theksoi se Kosova ka nevojë për stabilitet politik dhe se liderët duhet të gjejnë një kompromis për të shmangur muaj të tjerë të pasigurisë institucionale.

“Kosovës i duhet stabilitet, stabilitet politik dhe kjo do të vijë vetëm përmes një procesi për gjetjen e një presidenti”, tha Walker, duke shtuar se partitë duhet të zgjedhin një person që mund ta bashkojë vendin.

Ai e cilësoi Kosovën si një “perlë demokratike” në Ballkan dhe vlerësoi progresin e arritur ndër vite, duke shprehur shqetësimin se kriza aktuale politike mund ta pengojë këtë përparim.

Walker tha gjithashtu se një zgjatje e krizës mund të ndikojë në marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ndërsa bëri thirrje për përfshirjen e një gjenerate të re në udhëheqjen e vendit.

SHARE