Foto: Risto Božović
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka kërkuar që institucionet kompetente të japin përgjigje të qarta lidhur me pretendimet për veprimtari hibride dhe përpjekje për destabilizimin e vendit.
Duke folur në Kollashin, Millatoviq tha se deklaratat e kryeministrit Millojko Spajiq për ekzistimin e informacioneve serioze mbi veprimtari të koordinuara hibride duhet të verifikohen në mënyrë institucionale dhe të përgjegjshme.
Për këtë arsye, ai ka thirrur për të hënën mbledhjen e Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri, ku drejtuesit e sektorit të sigurisë pritet të paraqesin informacionet që disponojnë dhe një vlerësim të plotë të situatës së sigurisë në vend.
Millatoviq tha se publiku duhet të dijë nëse ekzistojnë zyrtarë të lartë qeveritarë që, sipas pretendimeve të publikuara në media, mund të jenë të përfshirë në veprime që destabilizojnë Malin e Zi apo që kanë lidhje me struktura kriminale.
Ai kërkoi përgjigje të sakta nga shërbimet e sigurisë, duke theksuar se është e nevojshme të krijohet një pasqyrë e plotë për të gjitha pretendimet dhe rreziqet e mundshme ndaj stabilitetit të shtetit.
Presidenti shtroi gjithashtu çështjen nëse institucionet shtetërore, përfshirë Ministrinë e Punëve të Jashtme, kanë ndërmarrë hapa konkretë lidhur me pretendimet për përfshirjen e zyrtarëve nga shtete të tjera të rajonit.
Sipas Millatoviqit, çështje të tilla duhet të trajtohen seriozisht dhe përmes institucioneve, ndërsa temat që lidhen me sigurinë dhe destabilizimin e Malit të Zi nuk duhet të shndërrohen në përplasje të zakonshme politike.










