Ligjvënës republikanë dhe demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan kanë paraqitur një projektligj që kërkon masa ndaj Serbisë për shkak të asaj që e cilësojnë si “prapakthim serioz” në demokraci dhe sundimin e ligjit, si dhe për lidhjet e Beogradit me Rusinë, Kinën dhe Iranin.
Projektligji, i paraqitur nga republikani Joe Wilson dhe demokrati Bill Keating, parashikon sanksione financiare dhe kufizime vizash ndaj personave që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, minojnë institucionet demokratike, përfshihen në korrupsion ose shkelje të të drejtave të njeriut.
Wilson deklaroi se nën presidentin Aleksandar Vuçiq, Serbia po largohet nga sundimi i ligjit dhe po afrohet me Rusinë, Kinën dhe Iranin.
Në dokument kritikohet edhe mënyra e trajtimit të protestave në Serbi dhe kërkohet hetim i pavarur për tragjedinë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona.
Projektligji kërkon gjithashtu që SHBA-ja të vazhdojë mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Ndërkohë, sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i kërkohet të kushtëzojë pjesëmarrjen e SHBA-së në Dialogun Strategjik me Serbinë me ngritjen e çështjeve të marrëdhënieve të Beogradit me Rusinë, Kinën dhe Iranin, si dhe demokracinë, korrupsionin, sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave.
Dokumenti parashikon edhe raportime të detajuara mbi ndikimin rus dhe kinez në Serbi, përfshirë projektet infrastrukturore dhe energjetike, si dhe vlerësimin e lidhjeve të Beogradit me këto vende në raport me interesat e SHBA-së, NATO-s dhe BE-së.
Nëse Serbia ndërmerr hapa konkretë drejt forcimit të rrugës euroatlantike dhe garanton hetime të besueshme për shkeljet e pretenduara, projektligji parashikon mundësinë e forcimit të bashkëpunimit SHBA-Serbi në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe marrëdhënieve dypalëshe.
Për t’u shndërruar në ligj, projektligji duhet të miratohet nga të dyja dhomat e Kongresit amerikan.









