Kryeministri në mandatin teknik Dritan Abazoviq ishte mysafir në një darkë pune në Villa Bled të organizuar nga Robert Golob, kryeministër i Sllovenisë dhe Charles Michel, president i Këshillit Evropian, njoftoi Qeveria e Malit të Zi.
Në darkë morën pjesë edhe Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, Ana Brnabiq, kryeministrja e Serbisë, Dimitar Kovaçevski, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, Borjana Krishto, kryetare e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe Tanja Fajon, ministre e Punëve të Jashtme të Sllovenisë.
“Sllovenia është partneri ynë i rëndësishëm dhe i besueshëm në rrugën drejt BE-së. Vazhdojmë mëtutje. Ne po bëjmë gjërat e duhura për qytetarët tanë dhe po e realizojmë agjendën evropiane”, ka theksuar Abazoviq në profilin e tij në Facebook.
Forumi Strategjik i Bled-it sivjet organizohet me titullin “Solidariteti për të Ardhmen Globale” dhe Abazoviq sot ka marrë pjesë në panelin e Lidershipit.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi dhe Sllovenisë sot kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim.