TËRMETI 7.1 TRONDIT JAPONINË, LËKUNDJE TË FORTA, NDËRPRITET ENERGJIA DHE TRANSPORTI

Një tërmet me magnitudë paraprake 7.1 goditi këtë të martë prefekturën Kumamoto, në jug të Japonisë, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, dëmtime në infrastrukturë dhe pezullim të transportit në disa zona të vendit.

Kryeministrja japoneze deklaroi se autoritetet po vlerësojnë shkallën e plotë të dëmeve, ndërsa konfirmoi se ka persona të lënduar.

Sipas saj, në disa zona janë regjistruar zjarre, dëmtime në rrugë dhe ura, si dhe shembje ndërtesash.

Mediat publike japoneze transmetuan pamje të ndërtesave të përfshira nga flakët, çarje të mëdha në rrugë, dëmtime në autostrada dhe daljen nga shinat të një treni mallrash.

Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive njoftoi se mbi 150 mijë persona janë urdhëruar të evakuohen në qendrat e strehimit.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë lëshoi paralajmërime emergjente për shtatë prefektura në ishullin Kyushu dhe fillimisht dha alarm për cunami me valë deri në një metër, i cili u hoq pak më vonë.

Autoritetet paralajmërojnë se lëkundjet e forta pasuese mund të vazhdojnë edhe për rreth një javë, ndërsa mbetet i lartë rreziku për rrëshqitje dherash.

Japonia është një nga vendet me aktivitetin sizmik më të lartë në botë.

Në vitin 2016, një tërmet i fuqishëm në të njëjtën prefekturë, Kumamoto, shkaktoi 275 viktima, mijëra të plagosur dhe dëme të mëdha materiale.

SHARE