MALI I ZI MIRATON PUSHIMIN MENSTRUAL ME PAGESË PËR DIAGNOZA SPECIFIKE

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Sigurimin Shëndetësor, duke u mundësuar grave të diagnostikuara me çrregullime shëndetësore që shkaktojnë cikël menstrual të dhimbshëm të përfitojnë dy ditë pushim me pagesë çdo muaj.

Sipas arsyetimit të ligjit, ndryshimet synojnë të krijojnë një ekuilibër ndërmjet mbrojtjes së shëndetit të grave dhe detyrimeve të tyre profesionale, si dhe të eliminojnë paragjykimet me të cilat ato mund të përballen në vendin e punës.

E drejta për pushim menstrual u takon grave që vuajnë nga dismenorrea sekondare, një gjendje që shkakton dhimbje menstruale si pasojë e patologjive gjinekologjike, përfshirë endometriozën, miomat, polipet, inflamacionin e vezoreve dhe çrregullime të tjera të ngjashme.

Nisma për ndryshimin e ligjit u paraqit në muajin mars nga deputetja e pavarur Jevrosima Pejoviq, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Projektligji mori mbështetje unanime edhe nga Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, si dhe nga Komisioni Legjislativ.

Sipas dispozitave të reja, diagnoza e dismenorresë sekondare duhet të konfirmohet nga një mjek specialist. Gratë që përfitojnë nga kjo e drejtë janë të obliguara ta rinovojnë vërtetimin mjekësor deri më 31 dhjetor të çdo viti dhe ta dorëzojnë atë te punëdhënësi jo më vonë se 30 janari i vitit pasues.

Në arsyetimin e ligjit theksohet se dismenorrea sekondare përfshin simptoma të dhimbshme të lidhura me patologji gjinekologjike të diagnostikuara më parë. Statusi i posaçëm i paaftësisë së përkohshme për punë do të trajtohet si leje mjekësore dhe do të zbatohet për gratë që përballen me gjendje si endometrioza, miomat, vezoret policistike, polipet e endometrit, inflamacioni i vezoreve, si dhe simptoma të tilla si dhimbjet gjatë marrëdhënieve seksuale, urinimit, infertiliteti ose gjakderdhja menstruale më e bollshme se normalja.

SHARE