SHBA E KOSOVA NËNSHKRUAJNË MARRËVESHJEN

Marrëveshja e nënshkruar në Uashington që i jep mundësi Kosovës që të investojë mbi 236 milionë Dollarë në sektorin e energjisë u nënshkrua nga ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli Berisha dhe shefja e korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Alice Albright. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti ishin të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes. Zonja Albright tha se puna me Kosovën ka filluar para disa vitesh në programin përmes së cilit Kosova do të ndihmohet tej mase në sektorin energjetik. “Në të gjitha nivelet është një ditë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit dhe Republikën e Kosovës. Qeveritë dhe të dyja shtetet janë miq shumë të mirë dhe kjo marrëveshje është burim krenarie për të gjitha palët e përfshira”. Qëllimi i ndihmës financiare amerikane është të sigurohet pavarësia e sektorit të energjisë në Kosovë, duke u përqendruar në ruajtjen e energjisë elektrike për periudha kur nevoja është më e madhe, sidomos në kohë dimri. Projekti po ashtu ka për qëllim edhe rritjen e burimeve njerëzore, sidomos trajnimi i grave dhe punësimi i tyre në sektorin energjitik të Kosovës, një fushë që kryesisht dominohet nga burrat. Lëvrimi i këtyre fondeve drejt Prishtinës do të nisë të bëhet pasi Kosova të bëjë disa ndryshime ligjore, të domosdoshme për zbatimin konkret të kësaj marrëveshjeje.

SHARE