KUVENDI I KOSOVËS RATIFIKON MARRËVESHJEN PËR ENERGJINË ME MCC-në

Kuvendi i Kosovës sot njëzëri me 89 vota, shumicë prej dy të tretave, ratifikoi marrëveshjen për projekte energjetike që Qeveria e Kosovës të mërkurën mbrëma në Washington e nënshkroi me SHBA-në, përmes Programit të ri Kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC). Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, duke prezantuar marrëveshjen, tha se është granti më i madh në historinë e Kosovës së pasluftës, me vlerë 236.7 milionë dollarë. Bislimi tha se Qeveria e Kosovës është zotuar ta mbështesë marrëveshjen me 34.7 milionë dollarë. “Programi Kompakt synon të stabilizojë furnizimin me energji elektrike, të zhvillojë fuqi punëtore profesionale dhe gjithëpërfshirëse në fushën e energjisë dhe të mbështesë sektorin privat në investimet në energji. Zhvillimi, negociatat dhe në fund nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje paraqet bashkëpunim serioz dhe shembullor mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-së, si aleatin tonë kryesor”, tha Bislimi.

SHARE