HAPEN PORTET E DETIT TË ZI, NIS PUNA PËR EKSPORTIN E DRITHËRAVE

Pas marrëveshjes së vulosur në Stamboll, shenjat e para të zhbllokimit të situatës së drithit po shihen dhe në terren. Portet ukrainase të Odesës, Hornomorskut dhe Pivdenit, të destinuara për eksportet e drithërave rifilluan nga puna, njoftoi Marina e Ukrainës, edhe pse anijet e transportit për momentin, janë ende në pritje deri sa të përcaktohen itineraret e sigurta për lundrim. Në Stamboll sakaq është hapur një qendër për kontrollin e eksporteve të drithërave të Ukrainës përmes Detit të Zi. Turqia beson se qendra do të japë një kontribut të rëndësishëm për tejkalimin e krizës ushqimore. Plani është që anijet e ngarkuara me drithë, të cilat do të largohen nga portet e Ukrainës përmes Detit të Zi do të kontrollohen në Ngushticën e Bosforit, si kur hyjnë dhe edhe kur dalin nga Deti i Zi, për t’u siguruar që nuk kanë edhe ngarkesë armësh apo  objekte të ngjashme. Qendra e koordinimit do t’i regjistrojë anijet tregtare dhe do të gjurmojë lëvizjet e tyre edhe përmes satelitëve. Qendra e koordinimit ishte pjesë e marrëveshjeje së ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Ankaraja për heqjen e bllokadës së porteve të Ukrainës. Llogaritet të jenë rreth 25 milionë tonë drithëra në vendin e përfshirë nga lufta që presin të eksportohen.

SHARE